Dhunimi i Mëngjesit, Manja: Çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar lidhur me dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi. Në një postim në Facebook, Manja shkruan se çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë. Po ashtu, Manja mbështeti edhe reagimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që e konsideroi ngjarjen si kambanë alarmi për organet e drejtësisë.
“Çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë! Mbështes fjalë për fjalë Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për dhunën e ushtruar mbi avokatin dhe pedagogun, Sokol Mëngjesi!”, shkruan Manja.
Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona, të cilët e goditën atë me levë. Avokati është dërguar në Spitalin e Traumës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa mësohet se ka marrë dëmtime në kokë dhe ballë. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ndërsa policia po punon ende për identifikimin e kapjen e tyre.