Dhurimi i bibliotekës së Koliqit, mbi 850 libra të shkrimtarit pasuruan fondin e Bibliotekës “Marin Barleti”
Biblioteka publike “Marin Barleti” u pasurua me një fond prej rreth 850 librash, pjesë e Bibliotekës së shkrimtarit të shquar Ernest Koliqi. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën në Shkodër erdhi falë aktit të dhurimit të Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shejzat”, ndërkohë që njëra nga sallat e Bibliotekës mori emrin “Ernest Koliqi”, aty ku u zhvillua ceremonia e dhurimit.
Koliqi ka ende dorëshkrime të panjohura për publikun, ndërkohë që së shpejti një pjesë e tyre do të shohin dritën e botimit.
Në ceremoninë e dhurimit mori pjesë Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Gjithashtu, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues lokal dhe qëndror si dhe intelektualë të qytetit.
Koliqi ishte një nga shkrimtarët e çertifikuar të letërsisë shqipe. Ai u doktorua në Padova si dhe themeloi Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë e më vonë në Itali, si dhe Katedrën e Letërsisë Shqipe në “La Sapienza” të Romës.