Dhurimi i Gjakut, akt human/ Manika Kreka: Në Shqipëri ka më shumë femra se meshkuj që dhurojnë gjak
Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë.
Për të folur mbi Dhurimin e Gjakut në emisionin “Jetë Shqiptare” ishin të ftuar Manika Kreka, Prof.asociuar pediatre, Lidia Manolli dhuruese vullnetare dhe Blerta Ndrekaj, koordinatore e programit të Dhurimit Vullnetar të Gjakut.
Prof.asociuar pediatre Manika Kreka u shpreh se për momentin plotësimi për nevoja për gjak është maksimal dhe se më shumë meshkuj shqiptar duhet të angazhohen në dhurimin e gjakut.
“Gjaku sigurohet nga Qendra Kombëtare e transfuzionit të gjakut, gjatë muajve të vjeshtës kemi një plotësim maksimal të nevojave që ne kemi, ku njerëz të ndryshëm në raste të ndryshme të jetës kanë nevojë për gjak. Në qendrën tonë ndiqen rregullisht 10-12 persona të cilët kanë nevojë për gjak dhe nuk ka mungesa.
Do të ishte shumë mirë të kishte më shumë djem në këtë fushatë sepse edhe për vet organizmin e meshkujve të cilët janë më te fortë dhe duhet të jenë më të gatshëm të bëhen pjesë e fushatave. Kur ndajmë gjakun e dhuruar ai mund të shpëtojë tre jetë të tjera ndërsa 5 litra gjak që merren për dhurim nuk ndikon në shëndet”, tha Prof.asociuar pediatre Manika Kreka.
Blerta Ndrekaj theksoi se në Shqipëri ka më shumë vullnetare femra se meshkuj që dhurojnë gjak. Për më tepër ajo tha se dhurimi i gjakut ul me 88% rrezikun nga sëmundjet e zemrës.
“Ka ndryshuar dhurimi vullnetar i gjakut në Shqipëri, është në rritje por kemi ende shumë nevoja ku janë vende të largëta të Shqipërisë apo edhe spitali i Lushnjës ku fëmijët talasemik kanë nevojë për trajtim.
Dhuruesit periodik janë më shumë femra dhe jo meshkuj. Dhurimi i gjakut ka shumë përfitime duke ulur rrezikun për sëmundjet e zemrës me 88%. Nga 50-100 veta në ditë të cilët dhurojnë gjak në bashkëpunim me Kryqin e Kuq”, tha Blerta Nderkaj.
Ndërsa Lidia Manolli, dhuruese periodike e gjakut bëri thirrje që më shumë të rinj të bashkohen për te dhuruar gjak.
“E kam nisur aktivizmin tim tek Kryqi i Kuq para disa vitesh që unë dhuroj gjak, kishte një thirrje edhe nga ana e Kryqit të Kuq dhe unë u bashkova. Në momentin që shkon për të dhënë gjak dhe mendon se kjo do të shkojë për tre fëmijë talasemik është vërtet kënaqësi. Mbase pjesa e gjilpërave i step pak, ka më shumë vullnetar të rinj dhe angazhohen duke ju bashkuar thirrjes për të dhënë gjak. Kam dhuruar periodikisht për fëmijët talasemik. I bëj thirrje të rinjve që të bashkohen në fushatat e dhurimit të gjakut”, tha Linda Manolli.