Dialogu Kosovë-Serbi dhe vendimi për dinarin- Emisari i BE-së në Prishtinë, takohet me Bislimin
Zv.kryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës Besnik Bislimi, do të presë këtë të martë (5 mars) në një takim Emisarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në fokus të këtij takimi do të jenë hapat për shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike.
Lajçak me anë të një postoimi në rrjetin social Facebook teksa pasqyron takimin që do të zhvillojë me Bislimin, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm.
“Pika kryesore e agjendës sime në Bruksel javën e kaluar ishte takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e hapura për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme – më konkretisht çështjen e ndihmës së Serbisë për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Përshëndeta angazhimin e të dy delegacioneve për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për komunitetet e prekura. Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm; megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociator të Kosovës Besnik Bislimi”, shkruan Lajçak.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.