Dialogu me Beogradin dhe dinari serb, Escobar udhëton këtë javë drejt Kosovës
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të udhëtojë këtë javë në Kosovë për t’u takuar me liderët në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin serb dhe dialogun mes Prishtinës e Beogradit.
Prej 10 marsit deri më 18 mars, emisari i SHBA ka planifikuar vizita në Belgjikë, Kosovë, Austrinë dhe Malin e Zi.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, ka bërë me dije Departamenti i Shtetit.
Vizita e Escobar në Prishtinë vjen në një moment tensioni mes marrëdhënieve të zyrtarëve amerikane e liderëve të Kosovës pas vendimit të marrë nga BQK për ndalimin e përdorimit të dinarit serb nga 1 shkurti.
Një muaj më parë emisari i SHBA tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.