Dialogu- Pas 9 muajsh tensione, Kurti dhe Vuçiq takohen nesër në Bruksel
Një raund i ri i dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në të cilin do të marrin pjesë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbahet nesër (26 qershor) në Bruksel.
Takimi do të mbahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Xhosep Borel (Josep Borrell), ndërsa në dialog do të marrë pjesë edhe i dërguari special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.
Takimet do të shqyrtojnë atë që është arritur deri më tani në dialogun e udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë dhe do të fokusohen në ecjen përpara.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Që atëherë, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit, Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes.
Kjo marrëveshje, e cila u arrit vitin e kaluar, nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht është e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.