Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, Kurti takohet sot në Bruksel me Vuçiq
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) do të takohen mëngjesin e sotëm (14 shtator) në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me diplomatët europianë, ndërsa më pas do të mbahet dhe takimi i përbashkët mes Kryeministrit të Kosovës, presidendit serb, kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak (Lajcak), ku diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd pritet të jenë në fokus të bisedimeve.
Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Vuçiq është i pari që nga protestat e dhunshme të serbëve lokalë ndaj forcave policore të Kosovës dhe KFOR, duke kërkuar largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri.
Në takimin e sotëm pritet të diskutohet për tensionet dhe gjetjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.