Dialogu Prishtinë-Beograd dhe dinari serb, Eskobar në Kosovë, takohet me Osmanin
Emisari i SHBA-vë, Gabriel Eskobar (Escobar) udhëton këtë të mërkurë (13 mars) drejt Prishtinës, për t’u takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin.
Vizita e Eskobar ka në fokus dy çështje kyçe, atë të vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb prej 1 shkurtit, dhe dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Sikurse është bërë me dije edhe nga zyra e Presidencës, pas takimit Osmani-Eskobar, dyshja do të dalë në një deklaratë për media, për të bërë me dije detaje nga takimi.
I dërguari amerikan përveç takimit me krerët shtetërorë, ka ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare.
Një ditë më parë (12 mars) Eskobar deklaroi se SHBA pret që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun dhe e ka cilësuar dialogun në një “moment kritik”.
“I inkurajoj të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura, sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, tha Escobar.
I dërguari amerikan, tha se “Kosova duke injoruar dialogun po injoron partnerët evropianë”.