Diaspora bashkon PS dhe PD – ndryshon ligji i zgjedhjeve, afati për regjistrimin e kandidatëve

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat të hënën (17 shkurt) për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që do të lehtësojnë procesin e votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 Majit.
Me 108 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, palët shprehën dakordësinë për mbulimin e plotë nga shteti të shpenzimeve postare për votën e diasporës, duke garantuar që emigrantët të mos paguajnë për dërgimin apo kthimin e fletëve të votimit në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po ashtu do të mbështetet që të printojë më shpejt në kohë fletët e votimit për diasporën. Gjithashtu, ndryshimet në Kod përfshijnë edhe spostimin e afatit nga 22 mars në 12 mars, si data e fundit për regjistrimin e partive dhe kandidatëve në KQZ për zgjedhjet e këtij viti me qëllim që institucioni ta prodhojë më shpejt fletën e votimit, për ta dërguar në kohë në diasporë.
Gjatë fjalës së tij në nisje të sesionit të ri parlamentar, Taulant Balla kërkoi bashkëpunimin e opozitës për ndryshimin me dhjetë ditë të afatit të dorëzimit të listave për deputetë.
“Së pari ky parlament e ka për detyrim që ta miratojë gatishmërinë e qeverisë për të mbuluar shërbimin postar për të sjellë votën e Diasporës në Shqipëri. Ndaj mos e kushtëzoni votën me asgjë. Detyrimi i dytë që ka ky parlament është që t’i japim motrave dhe vëllezërve tanë kohë që ta s’postojmë afatin e regjistrimit të kandidatëve të paktën edhe me dhjetë ditë të tjera, në mënyrë që t’i lëmë kohë KQZ-së që të pranojë kandidatët, të miratojë fletën e votimit, ta nisë fletën e votimit me postë dhe t’i japim kohë që fleta e votimit të vijë në Shqipëri më 11 maj, ora 19:00,” u shpreh Balla.
Presidenti e ka dhënë pëlqimin e tij dhe këto ndryshime ligjore, të fundit para zgjedhjeve, hyjnë në fuqi menjëherë, duke u botuar pa humbur kohë në fletoren zyrtare të radhës.
Konsensusi politik këtë fillimjavë shkoi përtej ndryshimit të ligjit të zgjedhjeve. Dy partitë e mëdha, që e dominojnë parlamentin në numra, vendosën të shtyjnë për një seancë tjetër zgjedhjen e Avokatit të Popullit, edhe pse opozita propozoi zyrtarisht emrin e Besim Ndregjonit për këtë post.
“Ai përfaqëson shtresën e madhe të të përndjekurve politikë,” tha kryetari i PD-së, Sali Berisha.
“Gjithmonë ka pasur një proces. Të gjithë emrat që kanë ardhur këtu kanë firmat tuaja, të gjithë të mbështetur nga 28 firma. Të ndërtojmë procesin dhe hajde të flasim për propozimet tuaja. Nuk kemi kundërshtime,” shtoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi.
Me votim të fshehtë elektronik, parlamenti liroi dhe shkarkoi nga detyra të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.