Dimër ekstrem në Mongoli, ngordhin rreth 5 milionë kafshë
Mongolia po përjeton dimrin e saj më të ashpër në 50 vitet e fundit duke u marrë jetën rreth 5 milionë kafshëve në vend dhe duke kërcënuar jetesën dhe furnizimin me ushqim të mijëra njerëzve.
Ka qenë Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq që ka paralajmëruar këtë katastrofë e shkaktuar nga kushtet ekstreme të motit.
Kullotat e kafshëve dhe arat e mbjella janë të mbuluara nga akulli dhe shtresa të trasha dëbore duke bërë të pamundur ushqyerjen e kafshëve dhe rrezikuar edhe jetesën e njerëzve.
Rreth 300,000 njerëz në Mongoli janë barinj tradicionalë nomade dhe varen nga bagëtia, dhitë dhe kuajt e tyre për ushqim dhe për t’i shitur në treg.
“Për ata njerëz që varen plotësisht nga bagëtia e tyre për të mbijetuar, ata janë bërë të varfër në vetëm pak muaj. Disa prej tyre tani nuk janë më në gjendje të ushqehen ose të ngrohin shtëpitë e tyre”, tha Alexander Matheou, një përfaqësues i Kryqit të Kuq.
Që nga nëntori 2023, të paktën 2,250 familje barinjsh kanë humbur më shumë se 70% të bagëtive të tyre dhe më shumë se 7,000 familje aktualisht nuk kanë akses në ushqyerjen e duhur
“Tani është pranvera, por dimri po zvarritet në Mongoli, ka ende borë në tokë dhe bagëtitë janë ende duke ngordhur,” tha Matheou.
Qeveria mongole shpalli një gjendje gatishmërie të shtuar muajin e kaluar që do të zgjaste deri më 15 maj.
Reshjet e borës këtë vit kanë qenë më të lartat në 49 vjet, duke mbuluar 90% të vendit në kulmin e saj në janar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Dimri vijon me temperatura të ulëta të zgjatura, ku në disa zona shënon -40 gradë celsius.