Dinari serb, kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sërish këtë të mërkurë (15 maj) në Bruksel për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhje për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano deklaroi se pret nga palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur në një kompromis.
“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha Stano.
Kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë nuk kanë gjetur ende asnjë zgjidhje mbi vendimin e BQK-së, ndonëse kanë zhvilluar 6 takime. Kujtojmë se më 12 maj përfundoi periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga dita e dielë euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.