Diplomat elektronike të Maturës, mbi 25 mijë maturantë e përfituan online tek e-Albania
Janë 25,031 maturantë në të gjithë vendin që deri më sot kanë gjeneruar nëpërmjet portalit e-Albania Diplomat e Maturës, të cilat për herë të parë u mundësuan online dhe janë të pajisura me vulë elektronike, çka u jep vlerë për t’i paraqitur në çdo institucion tjetër pa patur më nevojën për dokumentin me vulë të njomë në letër. Bashkë me Certifikatën elektronike të Maturës, kjo arritje shënon një pikë referimi të rëndësishme në përmirësimin e proceseve administrative në sistemin arsimor shqiptar.
Në momentin që shkolla ka aprovuar lëshimin e diplomës, në mënyrë automatike, sistemi e-Matura bën të mundur transferimin e dokumentit në e-Albania, në llogarinë personale të maturantit, në rubrikën “Dokumentet e mia”. Diplomat gjenerohen në çdo kohë, si për procedurat e ndjekjes së arsimit të lartë apo në rastet kur maturanti ka zgjedhur të punësohet. Veçanërisht e rëndësishme është vlera e dokumentit për të rinjtë që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit, pasi tani mund të dorëzohet drejtpërdrejt pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vulë apostile, duke evituar procesin tradicional të marrjes së vulës së njomë, pranë zyrave dhe qendrave arsimore shqiptare.
Ndryshimet e digjitalizimit në arsim kanë prekur edhe ciklet e tjera të arsimit parauniversitar, sepse që nga viti i shkuar dëftesat e notave merren online me vulë digjitale në llogaritë personale të prindërve apo personat nën kujdes të të miturve, duke regjistruar një zhvillim tjetër cilësor në sektor. Janë mbi 350 mijë dëftesa të gjeneruara në vit për nxënës nga klasa e parë deri në klasën XI, risi që mundësohet falë ndërveprimit në kohë reale të Sistemit të Menaxhimit të Arsimit Parauniversitar (SMIP) dhe e-Albania.
Përgjatë gjithë vitit shkollor, prindërit dhe kujdestarët ligjore të të miturve kanë ndjekur online ecurinë e fëmijëve nëpërmjet SMIP, ndërkohë që çdo tre muaj në rubrikën “Dokumentet e mia”, në llogaritë e e-Albania u ka mbërritur fleta informuese, me listën e notave për semestër.
Për herë të parë, në qershor të këtij viti u digjitalizua kartela e vaksinave të fëmijëve 0-7 vjeç, që eliminoi dorëzimin e dokumentit në letër për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, pasi tashmë shkollës ku do të mësojë një 6 apo 7-vjeçar i ka mbërritur automatikisht nga Qendra Shëndetësore, nëpërmjet ndërveprimit të sistemeve elektronike të e-Vaksinës dhe SMIP. Ashtu sikurse dokumentet e tjera edhe kartela digjitale e vaksinave u mbërrin prindërve në llogarinë e tyre në e-Albania.
Së bashku me aplikimet online për regjistrime në klasën e parë, të dhjetë dhe kërkesat për transferime të nxënësve në shkolla dhe profile më specifike arsimore, plotësohet një kuadër i gjerë i modernizimit të sistemit arsimor shqiptar, nëpërmjet digjitalizimit.