Disiplina e ka me Vllazninë / Ndëshkime për futbollin e femrave dhe Hakajn tek meshkujt
Vendimet më të fundit të dhëna nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatas Shqiptare të Futbollit, kanë goditur rëndë ekipet e Vllaznisë , atë të futbollit të femrave si dhe të meshkujve. Një vendim absurd është konsideruar ai që ky komision ka marrë për incidentin e ndodhur një muaj më parë në ndeshjen e futbollit të femrave, Tirana Vllaznia, ku si rezultat i dhunës së ushtruar është ndërprerë ndeshja. Dhe, kësisoj, në bazë të rregullores, ekipi pritës duhej të ndëshkohej me një dënim shembullor për mosgarantimin e zhvillimit normal të këtij dueli, më i rëndësishmi i Superligës së ftubollit femra. Por, vendimet e Komisionit të Disiplinës kanë çuditur të gjithë, kur kanë ndëshkuar të dy klubet, Vllazninë me humbjen e ndeshjes në tavolinë 3-0, dhe Tiranën me zbritjen e tre pikëve.
“KF Vllaznia Femra, për shkaktimin e ndërprerjes së ndeshjes kundër KF Tirana Femra, duke qenë përgjegjëse për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullave themelore të sjelljes së mirë, në bazë të neneve përkatëse, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0. KF Tirana Femra, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes dhe për pasojë ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve përkatëse, dënohet me zbritjen e 3 pikëve në klasifikim”, shkruhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
Po, për këtë ngjarje, Komisioni i Disiplinës ka përjashtuar për këtë sezon nga aktivitetet futbollistike presidentin e Vllaznisë për femra, Lazër Matlija, si dhe drejtoreshën e Tiranës për femra, Edonisa Aliu. Ndërkohë, në vijim të vendimeve të tij, komisioni i displinës, pranë FSHF-së, tregohet i ashpër edhe me Klubin e Futbolllit Vllaznia të meshkujve, teksa për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke fyer tifozerinë kundërshtare, e ka dënuar me gjobë në masën e pesëdhjetë mijë lekëve. Ndëshkimet ndaj kuqebluve shkojnë edhe më tej, kur futbollisti i Vllaznisë, Esin Hakaj, për provokim të spektatorëve, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë futbollistike.
Vendimet në fjalë nuk janë pritur aspak mirë, jo vetëm nga dy klubet përkatëse të Vllaznisë, atë të futbollit femra si dhe të meshkujve, por në të njëjtën kohë edhe në opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë, duke e konsideruar Komisionin e Disiplinës shumë të ashpër në qëndrimin ndaj ekipeve kuqeblu.