“Dita Arbëreshe”, më 22–23 nëntor në Tiranë mbahet Samiti III i Diasporës
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar hapjen e regjistrimeve për Samitin III të Diasporës. Ky samit, nën organizimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, do të zhvillohet në Tiranë në datat 22–23 nëntor 2023.
Samiti i Tretë i Diasporës do të fokusohet në diskutimet mbi të ardhmen sociale, politike dhe ekonomike të Shqipërisë.
Qëllimi i samitit është rigjallërimi i bashkëpunimit midis vendit amë dhe diasporës, duke theksuar rëndësinë e rolit të diasporës në të ardhmen e vendit dhe në përballjen me sfidat e sotme dhe të ardhshme.
Ftesa për pjesëmarrje i adresohet të gjithë shqiptarëve që janë pjesë e diasporës dhe që kanë dëshirë të kontribuojnë në të ardhmen e vendlindjes së tyre.
Dita e parë e organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët do t’i dedikohet arbëreshëve.
Gjatë ditës së dytë nën organizimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës do të mbahen diskutimet të ndara në 7 panele.
“Ejani të diskutojmë së bashku mbi të ardhmen e përbashkët sociale, politike dhe ekonomike të vendit”, shkruhet në njoftim nga ministria.