Dita Botërore e Demokracisë/ Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme, tema e këtij viti e OKB-së
Dita Botërore e Demokracisë këtë vit i kushtohet “Fuqizimit të Gjeneratës së ardhshme” duke u fokusuar në rolin kritik të të rinjve në sigurimin e demokracisë sot dhe në të ardhmen.
Organizata e Kombeve të Bashkuara vëren se është thelbësor krijimi i një mjedisi në të cilin të rinjtë të mendojnë se zëri i tyre ka rëndësi.
Është e rëndësishme që të gjithë të jenë në gjendje të marrin pjesë kuptimplotë në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre tani dhe në vitet në vijim. Konfliktet e pazgjidhura, rreziku nga ndryshimet klimatike dhe problemet financiare përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për demokracitë në mbarë botën, ka theksuar OKB.
“Muret po mbyllen në hapësirat qytetare,” paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres në Ditën Botërore të Demokracisë.
Duke pasur parasysh efektin e dëmshëm që mund të ketë informacioni i rremë tek të rinjtë, Shefi i OKB në mesazhin e tij fajësoi përhapjen e dezinformatave, që sipas tij po helmojnë publikun, polarizojnë komunitetet dhe gërryejnë besimin në institucione.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të rishikuar gjendjen e demokracisë në botë. Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e njeriut, e sanksionuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, por në mbarë botën ka qeveri që gjejnë shumë mënyra për ta penguar atë.