Dita Botërore e Mjekut të Familjes, Shehu: Kërkohet revolucion total në kujdesin parësor
Në Ditën Botërore të Mjekut të Familjes, deputeti demokrat Tritan Shehu, ish-ministër i shëndetësisë, bën thirrje për revolucion total në kujdesin parësor shëndetësor në vend. Në një lidhje me Skype për RTSH 24, Shehu tha se mjeku i familjes duhej të ishte shtylla kryesore e sistemit shëndetësor, por shtoi se në fakt ai është shtyrë larg profesionalizmit dhe se funksionon si “polic trafiku”.
“Kërkohet një revolucion total në kujdesin parësor sepse sot është i bazuar në kolonat e keqpërdorimit të mjekut të përgjithshëm, e vënies së tij në funksion të iniciativave korruptive të qeverisë, është totalisht i centralizuar dhe tentohet të shtyhet larg profesionalizmit të tij duke u lënë si një polic trafiku. Janë gjëra që duhen ndryshuar, me programe jo të lehta për t’u bërë absolutisht, por duhen bërë në një kohë jo të gjatë, por të shkurtër në mënyrë që të përfitojnë edhe qytetarët. Është mjeku i familjes që duhet të vlerësojë impaktin e familjes me qytetarin, janë shumë elementë që lidhen me punën shumë dinjitoze të mjekut të familjes, por që duhet të njehsohen në një normë në një unitet”, u shpreh Shehu.
Sipas tij ekziston një paragjykim në tërësi për mjekun e familjes edhe në mesin e studentëve të mjekësisë, të cilët nuk e preferojnë si pozicion pune. Shehu përmendi edhe eksperiencën e vendeve të zhvilluara, teksa tha se mjeku i familjes përbën kolonën kryesore të sistemit shëndetësor.
“Ekziston nënvlerësimi në tërësi në sistem se ekziston mënyra e konsiderimit të tyre thjesht polic trafiku. Në Britani, SHBA, Kanada, vendet e zhvilluara, kolona e sistemit të tyre shëndetësor është mjeku i familjes. Nuk mund të anashkalohet është njeriu më me kulturë që ka specializime shumë të gjata. Një nga shkaqet që veriu i Italisë pësoi kolaps gjatë COVID sepse veriu i Italisë ka super spitale me specialitete të perfeksionuara, por pati dobësi në kujdesin parësor, me mjekun e familjes”, theksoi deputeti.