Dita Botërore e Postës
Dita Botërore e Postës festohet çdo vit më 9 tetor. Sot bëhen 150 vjet nga themelimi i Unionit Universal Postar në 1874 në kryeqytetin zviceran, Bernë.
Dita Botërore e Postës u caktua të jetë më 9 tetor, nga Kongresi i UPU-së i mbajtur në Tokio, në vitin 1969. Që atëherë, shumë vende në mbarë botën marrin pjesë çdo vit në festime.
Qëllimi i Ditës Botërore të Postës është ndërgjegjësimi për rolin e sektorit postar në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve dhe kontributin e tij në zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve.
Me rastin e kësaj dite, në shumë vende organizohen ekspozita filatelike dhe lëshohen pulla të reja. Aktivitete të tjera përfshijnë ekspozimin e posterave të Ditës Botërore të Postës në zyrat postare dhe vende të tjera publike, ditët e hapura në zyrat postare, qendrat e postës dhe muzetë postarë, mbajtjen e konferencave, seminareve si dhe aktivitete kulturore, sportive e të tjera.
Një prej aktiviteteve më të njohura të mbështetura nga Unioni Universal Postar, është konkursi i shkrimit të letrave, përmes të cilit nxiten fëmijët të zhvillojnë të shkruarit. Konkursi ka arritur të tërheqë më shumë se 1.2 milionë pjesëmarrës globalë çdo vit, të moshës 9-15 vjeç. Për këtë edicion, pjesëmarrësit do të inkurajohen të reflektojnë mbi të ardhmen e botës nën temën: “Në moshën 150-vjeçare, postat u kane shërbyer njerëzve në mbarë botën për më shumë se tetë breza. Bota ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që atëherë. Shkruajuni një letër gjeneratave të ardhshme për botën që shpresoni se do të trashëgojnë.”