Dita Botërore e Rojeve Mjedisore, Rama: Shumë prej tyre po luftojnë me zjarret e këtyre ditëve
Sot në Ditën Botërore të Rojeve Mjedisore, mirënjohja dhe respekti shkon për të gjithë rojat mjedisore, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët çdo ditë të jetës së tyre ia dedikojnë natyrës dhe mbrojtjes së saj, dhe jo në sipërfaqe të vogël, por thuajse në 22 % të territorit të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale duke prezantuar shembullin që jep një prej punonjëseve mjedisor, Erind Zallit, që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara për t’iu përkushtuar maleve e për t’u kujdesur për jetën e gjallë të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.
“Ditën Botërore të Rojeve Mjedisore, përmes shembullit të Erindit që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara për t’iu përkushtuar maleve e për t’u kujdesur për jetën e gjallë të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, duke shoqëruar e begenisur turistët, që përfaqëson qindra kolegë të tij në të gjitha Zonat e Mbrojtura të vendit, roje mjedisore të cilët jetën në harmoni me natyrën e kanë kthyer në lajtmotiv teksa shumë prej tyre po luftojnë me zjarret e këtyre ditëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
I kthyer 6 vite më parë nga SHBA, Erindi tregon se si vendosi t’i bashkohet skuadrës së ADZM Kukës, në misionin e vështirë, por edhe të bukur në mbrojtjen dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Në videon e publikuar ai shprehet se, “më gjeni çdo ditë në Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare. Falë madhështisë së tyre mësoj diçka të re dhe mësoj të fshehtat e natyrës. Të gjithë më pyesin a ka shumë vështirësi në profesionin që kam zgjedhur. Dhe unë i përgjigjem se çdo ditë ka sfida dhe të papritura”.
Sipas Erindit, “është sfidë të kujdesesh për natyrën, zjarret, jetën e egër, dhe situata të ndryshme”.
“Është sfidë të plotësosh edhe pritshmëritë e vizitorëve. Sot në Ditën Botërore të Rangers ftoj të rinjtë dhe të rejat t’i bashkohen degëve në studimet universitare apo vendeve të punës në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura”.