Dita Botërore e Shëndetit Mendor/ Zonja Begaj: Bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
Zonja e parë, Armanda Begaj ka ndarë një mesazh në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, ku thekson rëndësinë e bashkëpunimit me njeri tjetrin për një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin.
“Çdokush është i ekspozuar ndaj fenomeneve që çojnë në mungesë të mireqënies të shëndetit mendor.
Adoleshentët dhe të rinjtë, fëmijët tanë më shumë.
Koha që po jetojmë na dhuroi ngjarje tragjike; pandeminë, luftën, ndryshimet e klimës. Informacioni është fuqi, por abuzimi më të është shkatërruesi më i madh i shoqërisë.
T’i ndajmë me njëri – tjetrin ndjenjat e ankthit, depresionit, apo ndonjë sfide tjetër, që lenë gjurmë dhe ngarkojnë hapësirën tonë, duke shfaqur mungesë përshtatjeje e komunikimi!
Të sigurojmë një mjedis tolerant dhe mbështetës për të gjithë, pa stigmë e diskriminim!
Askush të mos jetë vetëm duke luftuar në heshtje!
Bashkë mund të ndryshojmë! Bashkë mund të ndihmojmë njëri-tjetrin!
Bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin!”, shkruan ajo në mesazhin e saj.
Dita Botërore e Shëndetit Mendor ( çdo 10 tetor që prej vitit 1992) ka në fokus ndërgjegjësimin, sensibilizimin, sjelljen në nivel global, si edhe sigurimin e një komuniteti i cili kupton, pranon, por edhe luan rol aktiv në krijimin e një shoqërie që gëzon shëndet mendor.