Dita Botërore e të Moshuarve, presidenti Begaj apelon për më shumë kujdes dhe dashuri
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me një grup të moshuarish në fshatin Togëz në Librazhd.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, presidenti bëri thirrje për më shumë vëmendje për të moshuarit, si nga institucionet, ashtu edhe nga shoqëria.
“Gjej rastin të shpreh domosdoshmërinë e një vëmendjeje të shtuar ndaj të moshuarve, jo vetëm nga institucionet, por nga çdokush që mund t’i qëndrojë pranë atyre, që mund të komunikojë me ta, t’i dëgjojë, apo t’u japë një dorë ku të mbështeten,” tha Begaj.
Presidenti Begaj apeloi se më shumë dashuri dhe vëmendje ndaj tyre do t’u siguronte një jetesë më cilësore.
”Pasi i kanë shërbyer me përkushtim familjes, shoqërisë, vendit, të moshuarit meritojnë të marrin në këmbim mirënjohjen, respektin, dhe mbi të gjitha, çdo shërbim të nevojshëm për të patur një jetesë sa më cilësore,” shtoi Begaj.