Dita Botërore e Ushqimit, FAO: Uji është jetë, uji është ushqim, mos lini askënd prapa
Sot është Dita Botërore e Ushqimit dhe kryefjala e këtij viti është uji.
Organizata Botërore e Ushqimit, FAO bëri publike temën e vitit 2023: “Uji është jetë, uji është ushqim, mos lini askënd prapa”.
Kjo temë nxjerr në pah gjendjen e 2.4 miliardë njerëzve që jetojnë në vende nën stres për pamjaftueshmërinë e ujit dhe ku mungesa e tij po bëhet shkak për rritjen e konflikteve.
Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për një mobilizim global për të transformuar sistemin agro-ushqimor, duke siguruar që ai të prodhojë më shumë ushqim për të gjithë, me më pak ujë.
Dita Botërore e Ushqimit festohet në më shumë se 150 vende. Kjo ngjarje është një pikë takimi për qeveritë, bizneset, organizatat e shoqërisë civile dhe publikun për të luftuar bashkarisht urinë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e thellë të menaxhimit të përgjegjshëm të ujit në sistemet tona ushqimore dhe bujqësore.
Rreth 600 milionë njerëz varen nga sistemet ushqimore të bazuara kryesisht në ujë dhe që duhet të mbrojnë burimin e tyre primar të ushqimit nga ndotja, degradimi dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Nga i gjithë uji në Tokë, vetëm 2.5% është i freskët dhe, nga kjo, pjesa më e madhe (72%) përdoret për bujqësi. “Si të gjitha burimet natyrore, uji i ëmbël nuk është i pafund”, thekson FAO dhe rritja e shpejtë e popullsisë, urbanizimi, zhvillimi ekonomik e ndryshimet klimatike po i vënë burimet ujore të planetit nën tkurrjen e vazhdueshme.