Dita e Forcës, Osmani: Ditë krenarie, kujtojmë sakrificën e popullit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë këtë të hënë (27 nëntor) në prezantimin e pajisjeve të Forcës së Sigurisë. Në një prononcim për media, Osmani ka deklaruar se kjo është një ditë krenarie për Kosovën teksa theksoi se çdo ushtar është i gatshëm të japë jetën për atdheun nëse do të jetë nevoja.
“Sot është ditë krenarie. Është dita kur ne kujtojmë sakrificën e popullit, ushtrisë çlirimtare. Secili ushtar e mban uniformën me krenari dhe është i gatshëm të japë jetën për atdheun nëse është nevoja. Në çdo cep të botës shihet se me sa admirim shihen sukseset e kësaj ushtrie. Do punojmë që të krijohen kushte më të volitshme në mënyrë që çdo ushtar i ushtrisë sonë të ketë prosperitet e vullnet për të kontribuuar për ushtrinë e vendin tonë”, tha Osmani.
Ndërsa kryeministri Kurti u shpreh se Forca e Sigurisë, është forca e bashkimit dhe krenarisë.
“Urime të gjithë ushtarëve, oficerëve, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ditën sot, një ditë para 28 nëntorit. Forca e sigurisë, forcë e bashkimit dhe krenarisë sonë”, u shpreh Kurti.
Institucioni i sigurisë hapi sot dyert për qytetarët, në mënyrë që të shohin pajisjet ushtarake.
“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.