Dita e Përkujtimit të Holokaustit, 79 vite nga çlirimi i ish-kampit nazist të Aushvicit
27 janari shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, datë që në vitin 1945, Ushtria e Kuqe çliroi Aushvicin, ku gjeti rreth 7000 të mbijetuar nga kampi nazist, përfshirë 700 fëmijë. Ishte fundi i një prej tmerreve më të rënda në historinë njerëzore.
“Ka një përgjegjësi unike për të studiuar dhe kujtuar Holokaustin”, tha kryerabini i Polonisë, Michael Schudrich.
Në ish-kampin e vdekjes Aushvic-Birkenau, kur shënohet 79-vjetori i çlirimit të tij, të mbijetuarit e Holokaustit do të zhvillojnë një ceremoni përkujtimi për jetët e humbura dhe kujtimin që kjo barbari të mos përsëritet më në botë.
Krerët e besimeve të tjera fetare të Polonisë dhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, do të jenë gjithashtu të pranishëm në ceremoni në kujtim të viktimave të Holokaustit.
“Është kujtimi i gjenocidit më të tmerrshëm në historinë botërore që u krye kundër popullit tim. Nga ana tjetër, është çlirimi i Aushvicit. Është një shenjë shprese. Edhe gjërave të tmerrshme u vjen fundi”, tha kryerabini Schudrich.
6 milionë hebrenj u vranë nga nazistët gjatë Holokaustit, ku në kampin Aushvic-Birkenau, plani i nazistëve për të vrarë popullsinë hebraike u zbatua në një shkallë të gjerë barbare.
Rreth 1.1 milion njerëz u vranë në kamp, ku rreth 900 mijë hebrenj u vranë në dhomat e gazit menjëherë pasi arritën në kamp. Më shumë se 200 mijë ishin fëmijë dhe të rinj.