Dita e Rinisë- Ambasada amerikane: Qëndrojmë me krenari krah Shqipërisë në rrugën drejt BE
Ambasada amerikane në Shqipëri ka kujtuar, 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Përmes një reagimi në Facebook, shprehet se SHBA-të qëndruan pranë të rinjve kur kërkuan një vend “si e gjithë Europa” dhe se edhe sot mbështesin Shqipërinë në hapin e saj të radhës drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Sot, ne kujtojmë rininë dhe studentët shqiptarë të cilët ishin nismëtarë të protestave që sollën rënien e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë më 8 dhjetor 1990. Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë të rinjve dhe qytetarëve të Shqipërisë teksa ata kërkuan një vend “si e gjithë Europa” dhe ne jemi me krenari krah jush sot, teksa Shqipëria bën hapin e saj të radhës drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, shkruan në përkujtim Ambasada e SHBA-së.
Shënohet sot Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.