Dita Kombëtare e Drejtësisë, Manja: Sfida, stoku i dosjeve për t’u gjykuar dhe zbatimi i hartës së re gjyqësore
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, teksa vlerësoi rezultate e arritura nga reforma në drejtësi, pranoi se megjithatë ka ende sfida me të cilat duhet të përballet sistemi.
Në mbledhjen e përbashkët të KLGJ-së dhe KLP-së për Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Manja përmendi si sfida numrin e lartë të stokut të dosjeve që presin për t’u gjykuar e po ashtu edhe vënien në zbatim të hartës së re gjyqësore.
Edhe njëherë, Manja theksoi mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme, teksa kërkoi vijimin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Reforma në drejtësi po kthen besimin e qytetarëve te drejtësia. Kemi ende sfida me të cilat përballemi çdo ditë për t’i dhënë qytetarëve shërbim dinjitoz. Adresimi i këtyre sfidave është qëllimi i përbashkët, janë këto sfida që na inkurajojnë të rrisim bashkëpunim ndërinstitucional midis organeve të drejtësisë. Mirëpres çdo propozim që kërkon angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë me qëllim që Reforma në Drejtësi të japë rezultate.
Sfida për stokun e dosjeve për t’u gjykuar, hetimi dhe mënyra e përfundimit të çështjeve penale brenda afatit të hetimeve, zbatimi i hartës së re gjyqësore, dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë e përditshme hetimore, fuqizimi i kapaciteteve njerëzore, rritja e profesionalizmit, ruajtja e integritetit dhe pastërtisë së figurës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon që sistemi i drejtësisë të funksionojë si një i tërë”, tha ministri.