Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima të Pafajshme të Agresionit
4 qershori në kalendarin e OKB shenjohet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima të Pafajshme të Agresionit.
Çdo ditë, fëmijët që jetojnë në luftëra anembanë globit po përballen me tmerre të papërshkrueshme. Ata nuk janë të sigurt për të fjetur në shtëpitë e tyre ose duke luajtur jashtë, duke mësuar në shkollë ose duke kërkuar kujdes mjekësor në spitale. Nga vrasja dhe gjymtimi, rrëmbimi dhe dhuna seksuale, te sulmet ndaj objekteve arsimore dhe shëndetësore e mohimi i ndihmës humanitare për të cilën ata kanë nevojë dëshpërimisht, fëmijët janë të kapur mes palëve ndërluftuese në një shkallë marramendëse.
Në faqen e OKB raportohen shifra nga Raporti Vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për 2022, por duke qenë se në botë janë hapur vatra të reja konfliktesh, shifrat janë edhe më alarmante.
Shifrat e viktimave ndër fëmijët, mjerisht kanë ardhur duke u rritur nga vitit në vit. Me mijëra fëmijë raportohen të vrarë apo të gjymtuar nëpër konflike. Mijëra të tjerë raportohen si të rekrutuar e të shfrytëzuar në konflikte të armatosura, 85% e të cileve, janë djem.
Situatat më të prekura janë në Izrael dhe Shtetin e Palestinës, Jemen, Afganistan, Mali dhe Burkina Faso.
Faktorë të tillë si gjinia, mosha, aftësia e kufizuar, përkatësia etnike, feja, vendndodhja gjeopolitike dhe statusi ekonomik përcaktojnë kryesisht rrezikun e rekrutimit të një fëmije, mënyrën se si ato shfrytëzohen dhe shkeljet që përjetojnë.
Ndërkohë ekziston dhe fenomeni i rrëmbimit. Situatat me numrin më të madh të rrëmbimeve të fëmijëve kanë ndodhur në Republikën Demokratike të Kongos, Somali, Burkina Faso, Myanmar dhe Mozambik. Ndërsa raportohen edhe fëmijë si viktima të dhunës seksuale.
Dhuna seksuale në konflikt është dhuna e rëndë më e nën-raportuar si për vajzat ashtu edhe për djemtë për shkak të stigmës dhe mungesës së mbrojtjes ligjore. 99% e dhunës seksuale është ushtruar ndaj vajzave, të cilat janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga dhuna seksuale dhe martesat e detyruara. Djemtë janë gjithashtu viktima të dhunës seksuale ose përjetojnë trauma dytësore duke u bërë dëshmitarë të detyruar të dhunës seksuale ndaj anëtarëve të familjes.