Dita Ndërkombëtare e Lumturisë
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara 12 vjet më parë e shpalli 20 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke njohur rëndësinë e lumturisë dhe mirëqenies si synime dhe aspirata universale në jetën e qenieve njerëzore.
Nismëtar për këtë rezolutë u bë Butani, një vend sipas të cilit vlera e lumturisë kombëtare qëndron mbi të ardhurat kombëtare. Butani në fillim të viteve ’70 miratoi një paketë objektivash që u bënë të famshme në të gjithë botën, “Lumturia Kombëtare Bruto në Produktin Kombëtar Bruto”.
OKB thotë se, lumturia është një qëllim themelor i njeriut. Asambleja e Përgjithshme e OKB bën thirrje për “një qasje më gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe të ekuilibruar ndaj rritjes ekonomike që promovon lumturinë dhe mirëqenien e të gjithë popujve”.
OKB bën thirrje që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të investojnë në kushte që mbështesin lumturinë duke mbështetur të drejtat e njeriut dhe duke përfshirë mirëqenien dhe dimensionet mjedisore në kornizat e politikave, siç janë 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Efektiviteti i qeverive në ruajtjen e paqes dhe rendit shoqëror, si dhe në fushat e taksave, institucioneve ligjore dhe ofrimit të shërbimeve publike, lidhet fuqishëm me kënaqësinë mesatare të jetës.
Kombet e Bashkuara ftojnë çdo person të çdo moshe, të çdo niveli arsimor, biznese dhe qeveri të bashkohen në festimin e Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë.