Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës
Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës kremtohet çdo 2 tetor, pikërisht në datën e lindjes së Mahatma Gandhit, liderit të lëvizjes për pavarësinë indiane dhe pionierit të filozofisë dhe strategjisë të mos përdorimit të dhunës.
Sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të datës 15 qershor 2007, e cila vendosi përkujtimin, kjo ditë është një rast për të “përhapur mesazhe kundër dhunës, duke përfshirë edukimin dhe ndërgjegjësimin publik”. Rezoluta ripohon “relevancën universale të mos përdorimit të dhunës” dhe dëshirën “për të siguruar një kulturë paqeje, tolerance, mirëkuptimi dhe jo dhune”.
Duke prezantuar rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme në emër të 140 bashkësponzoruesve, Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Indisë, Anand Sharma, tha se sponsorizimi i gjerë dhe i larmishëm i rezolutës ishte një reflektim i respektit universal për Mahatma Gandhin dhe për rëndësinë e qëndrueshme të filozofisë së tij. Duke cituar fjalët e vetë udhëheqësit të ndjerë, ai tha: “Mos përdorimi i dhunës është forca më e madhe në dispozicion të njerëzimit. Është më e fuqishme se arma më e fuqishme e shkatërrimit e krijuar nga zgjuarsia e njeriut”.