Ditari i albanologut Ernesto Cozzi, libri trajton kryengritjet e vazhdueshme shqiptare gjatë luftës turko-malazeze
Në Bibliotekën “Marin Barleti” u prezantua libri “Kryengritja Shqiptare, Lufta turko-malazeze”. Ai është i bazuar në ditarin e albanologut Ernesto Cozzi. Libri vjen si një dëshmi e periudhës kur vendi përjetonte kohë të vështira, siç ishin ato gjatë luftës turko – malazeze 1912 – 1913. Kryengritja shqiptare vjen e pasqyruar gjerësisht përmes ditarit të Ernesto Cozzi-t edhe përmes trajtimit të një figure tjetër historike me ndikim në mbrojtjen e Shkodrës gjatë rrethimit të saj si ajo e Hasan Riza Pashës.
Ky libër bart vlera sepse vjen si një dëshmi e kohës nën këndvështrimin e një personi që nuk ishte pjesë e këtij qyteti ndaj edhe mesazhi i tij prek disa aspekte.
Ky libër zbulon shumëçka nga ditari i Ernesto Cozzi-t duke e rijetësuar atë në vlerat historike të tij.
Albanologu Ernesto Cozzi, ishte italo-austriak nga Trentoja. Ai u lind më 6 korrik 1870 dhe vdiq 23 mars 1926. E deshi Shqipërinë aq fort, saqë trupi do gjente prehje vetëm këtu. Ndonëse vdiq dhe u varros në Bari, u zhvarros dhe u rivarros në Shkodër, më 29 maj 1926, i nderuar jo vetëm nga populli, por edhe nga përfaqësues të shtetit dhe të trupit diplomatik.