Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, Rama: Erdhi në këtë botë në Ditën e Flamurit Kombëtar
“Adem Jashari erdhi në këtë botë në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë duke e ngjitur shpirtin në Altarin Qiellor të Heronjve të Kombit”. Ka qenë ky dedikimi i Kryeministrit Edi Rama në 68-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
“68 vite më parë ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë duke e lënë trupin pa jetë, si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar, e duke e ngjitur shpirtin në Altarin Qiellor të Heronjve të Kombit”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Adem Jashari (28 Nëntor 1955 – 7 Mars 1998) ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.