Ditët e para të dhjetorit/Prej 48 orësh ndërprerje të reshjeve, akset e kalueshme
Ditët e para të dhjetorit kanë nisur me mot të mirë në Qarkun Shkodër. Ndërprerja e reshjeve të shiut dhe dëborës ka përmirësuar situatën në zonat malore.Autoriteti verior i rrugëve bën me dije se kjo fundjavë është e qarkullueshme në të gjithë territorin e Qarkut. Megjithatë firmat e kontraktuara për mirëmbajtje të akseve rrugore mbeten në gatishmëri për çdo të papritur të motit.Aksi Bogë-Qafë Thore është i kalueshëm dhe aktualisht janë hapur edhe xhepat anësorë për ndërrimin e automjeteve. Po ashtu Hani Hotit –Tamarë dhe Tamarë –Vermosh janë të aksesueshëm dhe nuk ka prezencë dëbore në rrugë. E vetmja problematikë vijon të mbetet shkëputja e energjisë elektrike në disa njësi administrative të Malësisë së Madhe siç janë Shkreli dhe Kastrati. Akset e hapura të rrugëve në alpe pritet të shoqërohen me vizitorë të shumtë përgjatë këtij muaji të fund vitit. Megjithatë specialistët apelojnë ndaj drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me goma dimërore dhe me zinxhirë si dhe të respektojnë sinjalistikën si e vetmja mënyrë parandaluese për aksidente rrugore.