Ditët europiane të trashëgimisë/ Tematika e këtij viti është “Trashëgimia e gjallë”
“Trashëgimia e Gjallë”, kjo është tematika e Ditëve Europiane të Trashëgimisë që do të nisin nga sot e në vazhdim për plot një javë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Fokusi i Ditëve Europiane të Trashëgimisë do të përqendrohet në praktikat, dijet dhe mjeshtëritë që janë tejçuar ndër breza dhe që promovojnë në ditët e sotme, diversitetin kulturor dhe kreativitetin.
I gjithë programi lidhet me ekspozitën e përkohshme të vëllezërve Janaki e Milton Manaki fotografë e kineastë, ndër më të rëndësishmit e Ballkanit të fillim shekullit XX. Ajo do të vijë përmes punëtorive dhe kontributeve të studiuesve të fushave të ndryshme të cilët hedhin dritë mbi historinë e krijimtarinë e Manakëve apo trajtojnë rituale që gjenden të pasqyruara në imazhet e tyre.
Duke nisur nga punëtoritë, pjesë e programit të edukimit mbi ekspozitën dhe duke vijuar me bisedat me Igor Stardelov, studiues e përgjegjës i departamentit për ruajtjen e materialeve audiovizuale në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut.
Pjesë e programit pritet të jetë edhe Mikaela Minga muzikologe e cila do të prezantojë një hulumtim të sajin mbi muzikën arumuno-vllehe. Ditët e trashëgimisë përmbyllen të shtunën në darkë, me shfaqjen e dokumentarit të regjisores Eliza Zdru që zë fill nga një fotografi e ruajtur në albumin e famijes që e nxit të rrugëtojë nëpër Ballkan, në kërkim të gjurmëve të Janaki dhe Milton Manakit.