Dixhitalizimi i shërbimeve publike, Çuçi: 95% ofrohen online, mundësia për korrupsion zero
Në Kongresin e PS-së, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Bledi Çuçi vuri theksin te dixhitalizimi i shërbimeve publike. Sipas Çuçit, parakusht për të luftuar korrupsionin është modernizimi i shtetit, teksa shtoi se, sipas tij, PS ka bërë shumë në këtë drejtim.
Çuçi tha se janë 95% e shërbimeve që ofron qeverisja vendore që tashmë jepen në rrugë dixhitale.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist theksoi se kjo është rruga për të zeruar edhe korrupsionin, pasi shmang kontaktin fizik mes zyrtarëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbim.
“Parakusht për të luftuar korrupsionin është modernizimi i shtetit. Askush më shumë se PS e ka bërë këtë. Sot kemi 1237 shërbime publike tërësisht të dixhitalizuara që dmth që janë 95% e shërbimeve që ofron qeverisja vendore që jepen në rrugë dixhitale. Kjo do të thotë që janë këputur marrëdhëniet fizike të 1237 zyrave, zyrtarëve publikë me publikun, atyre që duan të shërbehen duke bërë të mundur që mundësia për korrupsion të jetë zero. Kjo është një fitore e PS-së që e ka çuar Shqipërinë në një nivel tjetër. Kemi vënë në funksion atë që quhet Kadastra. Kemi ulur me 5 herë kohën e përpunimit të të dhënave në Kadastër, imagjino çfarë transformimi. Në shërbime të tjera si Policia e Shtetit, kemi modernizuar komunikimin”, u shpreh Çuçi.