Do hapet në Shqipëri Qendra Sportive Rafa Nadal, Rama: Krah për krah me Akademinë e Futbollit të Manchester City
Në Shqipëri do të hapet Qendra Sportive Rafa Nadal. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, pas një takimi me tenistin Rafa Nadal, ndërsa konfirmoi se kompleksi i ri do të vendoset pranë qendrës së re të futbollit të Manchester City.
“Mirmëngjes dhe me lajmin e mirë se Qendra Sportive e legjendës së tenisit Rafa Nadal do të hapë dyert në Durrës për fëmijët dhe të pasionuarit e këtij sporti nga Shqipëria e rajoni, krah për krah me Akademinë e Futbollit të Manchester City-t, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kompleksi i ri, qëllimi kryesor i të cilit është të zhvillojë dhe promovojë tenisin dhe sportin në Shqipëri, do të ritheksojë angazhimin e Rafa Nadal dhe ekipit të tij ndaj vlerave në sport dhe edukimit të fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.
Vetë Rafa Nadal ishte shumë i kënaqur me lajmin: “Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri. Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses”.
Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.