“Do i drejtohemi Gjykatës Europiane” – Paralajmërohet reagim ndaj ligjit për studentët e mjekësisë

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme vazhdojnë të mos pajtohen me reflektimin e qeverisë rreth ligjit për trajtimin e veçantë të tyre.

Ligji u hodh për konsultim publik më 30 prill. Disa prej ndryshimeve të parashikuara janë që studentët e mjekësisë në vitin I nuk e kanë më të detyrueshëm punësimin për 5 vite, por është ulur në 3 vite. Po ashtu, studentët e vitit II dhe IV do të kenë një ulje të afatit të punësimit të detyruar nga 3 në 2 vite, ndërsa ata të vitit V dhe VI nga 2 në 1 vit.

Të premten, një grup studentësh protestuan duke shprehur keqardhjen që nuk janë përfshirë në procesin e konsultimit “për herë të dytë radhazi”. Sipas tyre, ata duhet të jenë pjesë e debateve dhe konsultimeve për ndryshimet dhe shtesat që ka lënë detyrë Gjykata Kushtetuese.

Mes kritikëve ishte edhe Zino Veleshnja, student i vitit të 4-rt, i cili foli për RTSH 24.

Kundërshtimet tona që në fillim të vitit të kaluar nuk kanë qenë te numri i viteve, por te koncepti i përmbushjes së qëllimit të qeverisë për mbushjen e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor. Ne i qëndrojmë ende mendimit se kjo nuk mund të arrihet me masa detyruese, aq më pak injoruese dhe nëpërkëmbëse ndaj një klase si ne, studentët e mjekësisë.

Ndërsa vitin e kaluar pati përpjekje për të na konsultuar, këtë vit nuk pati. Të gjithë projektligjin për ndryshimin në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e morëm vetëm nga media. Ne kishim kërkuar që ta hartonim së bashku një ligj që do të siguronte edhe burimet njerëzore, edhe nuk do të ishte masë detyruese për ne,” tha Veleshnja.

Pas korrikut të kaluar, kur shumica parlamentare e miratoi ligjin, ai u prit me protesta të gjata prej studentëve dhe me bojkotim të vitit akademik për disa javë.

Studentët paralajmërojnë edhe këtë radhë një reagim.

Gjykata Kushtetuese është një opsion që po e shqyrtojmë me avokatët tanë. Mbetet edhe Gjykata Administrative për të ankimuar aktet nënligjore dhe kontratat konkrete. Opsioni kryesor është edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ku do t’i qëndrojmë thelbit të çështjes,” u shpreh studenti i mjekësisë.

Gjykata Kushtetuese në muajin nëntor 2023 e pezulloi zbatimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, duke nxjerrë në pah problemin e kushtëzimit të punësimit të tyre disa vite brenda vendit, para se ata të pajisen me diplomë.

Sipas ligjit, studentët duhet të nënshkruajnë një marrëveshje në fillim të vitit akademik që do të punojnë brenda vendit dhe nuk do të largohen nga Shqipëria pas studimeve, përndrushe duhet të paguajnë tarifat e parashikuara për ndjekjen e studimeve.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.