Do pastronin mbi 18 milionë euro në bashkëpunim me Taçin, SPAK çon për gjykim 3 shtetasit italianë
SPAK ka mbyllur hetimet në lidhje me tentativën për pastrim parash nga ana e tre shtetasve italianë në bashkëpunim me biznesmenin shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo.
SPAK ka arritur në konkluzionin se këta persona, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qënë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16 %, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Pas mbylljes së hetimeve, SPAK ka dërguar për gjykim tre shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli.
18.4 milionë euro të mafies italiane “Cosa Nostra” u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe sipas SPAK, Taçi do t’i pastronte përmes lëvizjes në disa banka e shtete në këmbim të përqindjes.