Do të diskutohet për Kosovën – Kurti shkon në SHBA të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që thirrur me kërkesë të Serbisë, e ku pritet të diskutohet për heqjen e dinarit për pagesat dhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Zyra e kryeministrit njoftoi se Kurti ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.
Nga ana tjetër edhe Presidenca serbe ka njoftuar se në seancë do të marrë pjesë e do të flasë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Serbia e bëri kërkesën për këtë seancë pas vendimeve të autoriteteve në Prishtinë për ndalimin e dinarit serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe javët e fundit.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e ka përshkruar si të jashtëligjshëm vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme për pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera, duke thënë se ndalimi është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucioni i vetëm që Serbia do të ketë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë, dhe se Kosova nuk po bën as më pak e as më shumë sesa zbatimin e kushtetutës së vendit.