Doktoreshë Lida Tinaj zgjodhi të shërbejë në Tamarë, Koçiu: Mirënjohje për shërbimin ndaj qytetarëve
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli sot në rrjetet sociale shembullin e doktoreshës Lida Tinaj e cila ka zgjedhur t’i bashkohet ekipit mjekësor të Qendrës Shëndetësore Tamarë.
Koçiu shprehu mirënjohjen për punën e saj në këtë zonë malore të vendit, duke sjellë edhe vetë fjalët e mjekes.
“Zgjodha këtë qendër jo vetëm për fijet e origjinës që më lidhin, por më shumë me dëshirën për të ndihmuar qytetarët në zonat e thella malore, të marrin trajtimin mjekesor që meritojnë në vendbanimin e tyre. Mendoj se puna si mjeke familje në zonat e thella të jep përgjegjësi dhe kënaqësi më të mëdha per rezultatet e arritura si dhe mirënjohje nga komuniteti”, u shpreh Tinaj.
Mjekët e familjes janë baza e sistemit shëndetësor parësor, pasi iu mundësojnë qytetarëve në çdo cep të vendit aksesin drejt shërbimit shëndetësor dytësor dhe terciar.
Rritja e kontaktit të qytetarëve me mjekun e familjes është tregues i rritjes së aksesit në shërbimet shëndetësore, në portën e parë të kujdesit shëndetësor.