Dokumentar premierë për Paulin Prekën/Materiali i përgatitur nga regjisori Arian Çuliqi erdhi në kuadër të 65-vjetorit të estradës
Me rastin e 65-vjetorit të Estradës së Shkodrës, në teatrin “Migjeni” u prezantua dokumentari premierë për një nga emrat më të shquar të saj Paulin Preka, mjeshtrit të humorit shkodran, me qindra role në teatër dhe kinematografi. Kjo mbrëmje nisi me një minut heshtje në nderim të aktorit Zef Deda, ndarë nga jeta pak kohë më parë për të vijuar më pas me një historik të shkurtër të Estradës së Shkodrës. Në skenë u ngjit aktori i ri i teatrit “Migjeni” Fritz Selmani, i cili interpretoi me mjeshtëri një prej skeçeve të Paulin Prekës ndër vite, çka u shoqërua me duartrokitje nga ana e publikut. Pak para nisjes së dokumentarit regjisori i saj Arian Çuliqi, njëkohësisht edhe drejtor i teatrit “Migjeni” përshëndeti publikun e pranishëm duke i ftuar ata të ndiqnin dokumentarin e realizuar nga RTSH.Në dokumentarin dedikuar një prej ikonave të humorit shqiptar Paulin Prekës, rrëfejnë çaste nga jeta e tij përmes kujtimeve të shumta me të si dhe rolet e panumërta në skenë aktorët e shquar të Estradës së Shkodrës si Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj por edhe ish-kolegë të tjerë të tij si dhe miq të familjes Preka. Dokumentari përmban rrëfime emocionuese edhe të pjesëtarëve të familjes së aktorit të shquar Paulin Preka ndërsa shoqërohet me skeçe të interpretuara ndër vite nga vetë ai.Aktori i njohur i humorit shënon me dhjetëra role në Estradën e Shkodrës, por një nga më të spikaturit mbetet ai i brigadierit në filmin “Çifti i lumtur”, ku luan krah Bep Shirokës dhe Tinka Kurtit. Preka është nderuar me titullin “Artist i merituar”. Për rreth 9 vite ai punoi si aktor drame. Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”, “Dasma e Refikut” e shumë të tjera.