Donald Tramp takohet me kryeministrin Orban më 8 mars në Florida
Kryeministri hungarez Viktor Orbán do të takohet me kandidatin për president të SHBA-së, Donald Tramp në Florida më 8 mars.
Në shkurt, Orban uroi që Tramp të kthehej në presidencën amerikane këtë vit.
“Ne shpresojmë që presidenti aktual do të largohet dhe presidenti Trump do të kthehet dhe do të ketë një dorë të lirë për të bërë paqe (në Ukrainë)”, tha kryeministri hungarez më 23 shkurt.
Orban ka refuzuar të lejojë vendin e tij të dërgojë armë në Ukrainë për ta ndihmuar atë të zmbrapsë pushtimin rus , ndërsa kritikon sanksionet perëndimore kundër Moskës. Ai vazhdimisht ka bërë thirrje për një armëpushim në luftën në Ukrainë.
Kryeministri hungarez, në pushtet që nga viti 2010, ka tensionuar marrëdhëniet me administratën e Xho Bajden (Joe Biden), kryesisht për shkak të vonesës së Budapestit në ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Orban ka thënë se zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ato evropiane të qershorit do të jenë vendimtare pasi konservatorët në të dyja anët e Atlantikut do të duhet të luftojnë së bashku për të “rikthyer” institucionet në Uashington dhe Bruksel nga liberalët, të cilët, sipas kryeministrit hungarez, kërcënojnë qytetërimin perëndimor.