Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, liderët botëror mesazhe urimi për fitoren
Donald Trump, kandidati i Partisë Republikane është pranë rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka arritur të fitojë zgjedhjet përballë Zv.presidentes Kamala Harris dhe në shtetet e lëkundura.
Shumë liderë botërorë kanë shprehur urimet e para për këtë fitore e cila pritet zyrtarizmi së shpejti.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar uron Trump për fitoren: Pres me padurim të punojë sëbashku
Keir Starmer i është bashkuar liderëve botëror që kanë uruar Donald Trump për fitoren si President i SHBA
“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim. Si aleatët më të afërt, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes. Nga rritja dhe siguria te inovacioni dhe teknologjia, e di se marrëdhënia speciale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për vitet në vijim”, tha Starmer.
Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, Von der Leyen: Të punojmë për një axhendë të fortë transatlantike
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka uruar Donald Trump për fitoren e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Duke vlerësuar aleancën mes SHBA-së dhe BE-së, Von der Leyen ka shprehur gatishmërinë për një partneritet edhe më të fortë me presidentin e 47-të të SHBA-së.
“Unë e përgëzoj ngrohtësisht Donald J. Trump. BE dhe SHBA janë më shumë se thjesht aleatë. Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një axhendë të fortë transatlantike që vazhdon të ofrojë për ta”, shkruan Von der Leyen në platformën X.
Netanyahu përgëzon Trumpin për ‘kthimin më të madh në histori’
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është nga të parët lidër botëror që kanë uruar Presidentin Trump për këtë fitore.
“Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” shkruan kryeministri izraelit në një deklaratë të përbashkët me bashkëshorten e tij Sara Netanyahu”.
Macron uron Trump për fitoren: Urime President, gati për të punuar së bashku.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka uruar Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Përmes medias sociale X, Macron përshëndeti Presidentin Trump, duke pranuar fitoren e tij në betejën elektorale të ndjekur nga afër.
Macron iu drejtua drejtpërdrejt Presidentit Trump, duke përdorur platformën për të shprehur urimet e tij.
“Urime President Donald Trump. Gati për të punuar së bashku. Me besimin tuaj, me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, ka shkruar Macron.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni shkruan se Italia dhe SHBA janë “vende motra”, të lidhura me një aleancë të fortë.
“Në emrin tim dhe të qeverisë italiane, urimet e mia më të sinqerta për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende motra, të lidhura me një aleancë të fortë, vlera të përbashkëta dhe miqësi historike. Kjo është një marrëdhënie strategjike, të cilën jam i sigurt se tani do ta forcojmë edhe më shumë. Punë të mbarë President”, shkruan kryeministrja italiane në platformën ‘X’.
Trump shpalli fitoren, Mark Rutte: Udhëheqja e tij, kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar me një postim në platformën “X” teksa shkruan se udhëheqja e Trump do të jetë kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë.
“Sapo urova Donald Trumpin për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqja e tij do të jetë edhe një herë kyçe për ta mbajtur aleancën tonë të fortë. Mezi pres të punoj me të dhe të avancojmë paqen përmes NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”.