Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Manja: Me vullnetin e tij, do marrë përgjegjësi të reja
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Admir Abrija ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ky i fundit pasi e ka falënderuar për punën e bërë, sqaroi se dorëheqja ka qenë me vullnetin e plotë të Admir Abrijas dhe shprehu bindjen se ky i fundit do të marrë përgjegjësi të tjera. Aktualisht zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve po zëvendëson në detyrë drejtorin e Përgjithshëm deri në zgjedhjen dhe emërimin e një emri të ri.
“Po është e vërtetë. Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve me vullnetin e tij ka dhënë dorëheqjen dhe unë jam i bindur që do marrë përgjegjësi të tjera. Dua ta falënderoj për punën dhe bashkëpunimin. Sigurisht që sot atributet e z.Arbija i ka marrë zv.drejtori i përgjithshëm. Janë bërë goxha punë të mira. Por sapo të kemi një emër për ta pasur në krye të drejtorisë së burgjeve, do ua bëjmë me dije”, tha Manja.
Këtë post Abrija e mbante prej dhjetorit të 2021 dhe largimin nga posti ai e ka kërkuar për arsye personale, ndërsa mësohet se pritet të emërohet në një tjetër post publik.
Ky largim vjen edhe rreth dy muaj pas vrasjes në burgun e Peqinit, ku i dënuari përjetë Sokol Mjacaj vrau Arben Lleshin, pasi kishte marrë porosinë dhe ishte paguar nga jashtë.