Dorëhiqet Haris Lika/ Vllaznia e futbollit femra mbetet pa trajner pas eliminimit në Ligën e Kampioneve
“Nga sot nuk do të jem trajneri i Vllaznisë femra. Falenderoj të gjithë ata që punova dhe i uroj suksese ekipit!”. Përmes këtij njoftimi në rrjetin social FB, trajneri i Vllaznisë në futboll femra, Haris Lika, bën të ditur se nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë në futboll për femra. Aventura e tij në krye të skuadrës kampione të Shqipërisë zgjati vetem në dy ndeshje, të cilat që të dyja i përkasin eleminatoreve të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra, grupi 7, takimet e të cilit u zhvilluan në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës nga data 6-9 shtator 2023. Fitorja e ndeshjes së parë ndaj kampiones Hajvalia të Kosovës me rezultatin 4-2 e kualifikoi Vllazninë e femrave në finalen e grupit 7-të përballë kampiones së Islandës Valur Rejkjavik. Ka qënë pikërisht humbja e kësaj finaleje me rezultatin 1 me 2, e shoqëruar me eleminimin e Vllazninë nga ecuria e mëtejshme në konkurimin e Ligës së Kampioneve të Europës, e cila mund të ketë ndikuar në vendimin e marrë nga ana e teknikut Lika. Nga sa mësohet, trajneri Lika dhe presidenti i Vllaznisë në futboll femra, Lazër Matija, kanë pasur një takim të gjatë kokë më kokë, ku në fund të dy palët kanë rënë dakord që të ndërpresin bashkëpunimin. Nga burimet brenda klubit të futbollit të femrave, mësohet se deri në gjetjen e një trajneri tjetër, për momentin skuadra po stërvitet nga drejtori teknik Nikolin Leka dhe trajneri i portjerëve Fabiol Rexhepi. Pas eleminimit nga konkurimi në Ligën e Kampioneve të Europës, ekipi i Vllaznisë në futboll femra është përqëndruar në Kampionatin Kombëtar, i cili është programuar të nis me datë 1 tetor. Ndërkohë, të hënën e ardhshme në Federatën Shqiptare të Futbollit pritet të hidhet shorti ku do të përcaktohet kalendari për dy fazat e kampionatit .