Dortmund-Real ndër vite: Nga rënia e portës, tek “magjia” e Lewandowskit
Këtë të shtunë, Real Madrid dhe Borussia Dortmund takohen në “Wembley” në kërkim të asaj që do të ishte Kupa e 15-të Evropiane e skuadrës spanjolle dhe e dyta për gjermanët. Është hera e parë që ata takohen në finale, por ata tashmë kanë luajtur disa ndeshje epike në turet e tjera të Ligës së Kampionëve.
Në total, Real Madrid dhe Dortmund janë përballur 14 herë me njëra-tjetrën, me bilancin: gjashtë fitore për spanjollët, pesë barazime dhe tre fitore për gjermanët.
Takimi i parë erdhi në sezonin 1997-1998, në gjysmëfinalet e Champions League. Madridi po kërkonte të bënte një hap drejt titullit të tyre të shtatë, pas një thatësire 32-vjeçare. Ndeshja e parë, e luajtur në Bernabeu, hyri në histori, dhe jo vetëm për shkak të rezultatit.
Pak minuta para fillimit, një nga portat u rrëzua. Klubit iu desh të merrte masa të improvizuara për të lejuar zhvillimin e ndeshjes. Delegati i ekipit, Agustin Herrerin, shkoi në Ciudad Deportiva me një motoçikletë dhe gjeti një portë të re, i që u zhvendos në Bernabeu. Ndeshja rifilloi një orë e gjysmë më vonë.
Në fushë, Real Madridi u përgjigj me stil dhe fitoi 2-0 me golat e Fernando Morientes dhe Christian Karembeu. Ndeshja e dytë përfundoi pa gola dhe Madridi do të vazhdonte të fitonte Ligën e Kampionëve në finalen e Amsterdamit kundër Juventusit.
Skuadrat do të takoheshin më vonë në sezonin 2002-2003 në fazën e grupeve, me përplasjet që përfunduan 2-1 për vendasit në Madrid dhe 1-1 në Dortmund.
Në sezonin 2012-2013, Real Madrid dhe Borussia Dortmund u takuan katër herë. Në fazën e grupeve, ishte 2-1 ndaj vendasve në Gjermani dhe 2-2 në Spanjë, dhe më pas erdhi gjysmëfinalja.
Dortmundi, i cili sapo kishte eliminuar Malagën në çerekfinale në kohën e fundit dhe me polemika, mposhti Madridin 4-1 në një ndeshje që mbahet mend më së miri për katër golat e Robert Lewandowski në 58 minuta. Golin e Madridit e shënoi Cristiano Ronaldo.
Skuadra e Mourinhos luajti një ndeshje të mirë të dytë në Bernabeu, por i mungonte instinkti vrasës për t’i kthyer gjërat. Karim Benzema dhe Sergio Ramos shënuan në 10 minutat e fundit, por skuadra e tyre nuk arriti të gjente golin e tretë që duhej.
Dortmundi do të luante kundër Bayernit në Wembley dhe përfundoi duke humbur ngushtë me rivalët e tyre.
Hera e fundit që dy skuadrat u takuan në fazën eliminatore ishte në vitet 2013-2014. Ishte çerekfinalja e një sezoni që përfundoi me Realin që fitoi për herë të dhjetë Ligën e Kampionëve në finalen e Lisbonës kundër Atletico de Madridit.
Real mundi Dortmundin në Bernabeu me golat e Gareth Bale, Isco dhe Cristiano Ronaldo. Përpara murit të verdhë, Dortmundi u përpoq të bënte një rikthim, por nuk arriti të shënonte më shumë se një gol.
Katër takimet e fundit kanë qenë në fazën e grupeve. Në 2016-2017 skuadra barazuan 2-2 dhe në 2017-2018 ishin fitore të njëpasnjëshme për spanjollët, 3-1 në Dortmund dhe 3-2 në Bernabeu.