Dosja Partizani, Apeli i GJKKO lë në “arrest shtëpie” Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin

Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit ka lënë në fuqi masën e sigurisë së vendosur nga GJKKO për ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Ata kërkuan revokim të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, përmes avokatit Genc Gjokutaj, i cili pas vendimit të Apelit të GJKKO hodhi akuza se “procesi po zvarritet me urdhër të Edi Ramës dhe lidhet me kalendarin politik për të djegur mandatin e Sali Berishës”.
Ish-kryeministri Sali Berisha është në hetim për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, gjatë kohës kur ai ishte Kryeministër. Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, gjithashtu në arrest shtëpie, në përfitimin e pronave të truallit.
Sali Berisha akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.