Dosjet e ‘nxehta’ të funksionarëve të lartë, Dumani: Kemi rritur kapacitetet në fushën e hetimeve financiare
Zhvllimet më të fundit në vend, ku shumë funksionarë të lartë, por edhe të niveleve më të ulëta, janë tashmë nën akuzë nga drejtësia për korrupsion, duket se ka nxjerrë në pah faktin se SPAK-u, gjithnjë e më shumë, po vendos në shënjestër njerëzit që deri dje kanë menduar se janë të paprekshëm nga drejtësia ndaj akuzave për përfitime të paligjshme. Kjo shoqëruar edhe me hetime të thelluara financiare.
Ky fakt është theksuar edhe nga drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë një konference të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”.
Në fjalën e tij në hapje të këtij trajnimi, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha se: “SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik.”
“Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”., theksoi Dumani në fjalën e tij.
Hetimi për korrupsionin e niveleve të larta
Trajnimi nga Prezenca e OSBE-së u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin dhe përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.
Nga ana tjetër, trajnimi synoi rritjen në tërësi të kapaciteteve të prokurorëve të SPAK-ut dhe të Gjykatave të Posaçme për të kryer hetime për korrupsionin e nivelit të lartë dhe grupet transnacionale të krimit të organizuar.
Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës antikorrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.