Draft rezoluta e Këshillit të Sigurimit bën thirrje për armëpushim urgjent në Gaza
Draft-rezoluta e hartuar nga Këshilli i Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara bën thirrje për armëpushim urgjent në Gaza.
Draft-rezoluta e cila do të miratohet ditën e sotme është shoqëruar me përplasje mbi formulimin e saktë të dokumentit, duke bërë që ky votim të shtyhet vazhdimisht që nga e hëna.
Gjuha në propozimin e Emirateve të Bashkuara Arabe thuhet se tashmë është zbutur në një përpjekje për të shmangur një veto të mundshme të draftit, pasi SHBA bllokoi rezolutat e mëparshme duke përdorur kompetencat e saj si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Rezoluta kërkon:
- Palët e konfliktit në Gaza të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në lidhje me mbrojtjen e civilëve
- Pauza dhe korridore humanitare urgjente dhe të zgjatura në të gjithë Rripin e Gazës për një numër të mjaftueshëm ditësh për të mundësuar akses të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar.
- Lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve, si dhe sigurimin e aksesit të menjëhershëm humanitar.
- Përsërit vizionin e zgjidhjes me dy shtete, me Rripin e Gazës si pjesë e një shteti palestinez.
- Gjithashtu u bën thirrje të gjitha palëve që të “përmbahen nga privimi i popullatës civile në Rripin e Gazës nga shërbimet bazë dhe ndihma humanitare të domosdoshme për mbijetesën e tyre”.