Draft-statuti i Kosovës, BE: Statuti i Asociacionit duhet të prezantohet në dialogun e Brukselit
Pak pasi Kosova njoftoi se do të dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e komunave me shumicë serbe, Bashkimi Evropian reagoi duke konsideruar se Asociacioni duhet të prezantohet në dialogun e Brukselit dhe të diskutohet në kuadër të këtij procesi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se përmbajtja e këtij statuti nuk është diskutuar as me BE-në dhe as me Serbinë dhe është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës.
Por më tej, Stano shton se BE mirëpret angazhimin e Prishtinës pasi nuk kishte marrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit.
“Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë. BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar përfundimisht tani pasi që nga viti 2013, për fat të keq, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit”, tha Stano.
Një ditë më parë Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla bëri me dije se në fund të muajit maj, Kosova do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin për Asociacionin e kominave me shumicë serbe dhe se ky vendim i ishte vënë në dijeni edhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.
Por ky vendim i Kosovës nxiti reagimin e Berlinit, Romës e Parisit të cilët i dërguan një letër ‘pa dorashka’ kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet së cilës bënin të qartë se mbetet përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tij, mos-anëtarësimi në Këshillin e Evropës, nëse ai nuk hedh hapa seriozë për zbatimin e porosive që ka mbi tavolinë të grupit të Kuintit për Kosovën.