Drama “7 Minuta” në Shkodër – Kasti i aktoreve me përvojë interpretuan në Teatrin “Migjeni”

Teatri “Migjeni” në Shkodër u mbush me emocion dhe duartrokitje për një kast të jashtëzakonshëm aktorësh, të udhëhequr nga emrat më të spikatur të skenës shqiptare: Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, Zamira Kita etj.
Publiku shkodran mirëpriti me entuziazëm shfaqjen “7 Minuta” të autorit italian Stefano Massini, nën regjinë e Driada Dervishit.
Ngjarja zhvillohet në një fabrikë tekstili ku 11 gra punëtore përballen me një vendim që në pamje të parë duket i vogël: heqja dorë nga 7 minuta pushimi.
Por, pas këtij kompromisi të thjeshtë fshihen dilema të mëdha për të drejtat, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor në vendin e punës.
Regjisorja Driada Dervishi u shpreh se kjo shfaqje është një thirrje për ndërgjegjësim dhe nuk i drejtohet vetëm grave.
Emocionet që erdhën nga publiku shkodran ishin të veçanta edhe për aktoret e skenës.
Drama “7 Minuta” do të vazhdojë turin në qytete të tjera të Shqipërisë, duke e kthyer teatrin në një arenë reflektimi dhe debati për çështje që prek çdo individ.