Drejt përfundimit dy rrugë në rrethina – Ishin lënë në harresë prej dekadash, plotësohet kërkesa e komunitetit

Punimet në rrugët “Todi Germeni” dhe “Udhëtari” në Njësinë Administrative Rrethina janë drejt përmbylljes, duke i dhënë zgjidhje një problemi që ka rënduar prej vitesh jetën e banorëve të zonës.
Administratori i Njësisë, Gerald Hasaj, e cilëson këtë investim si një projekt strategjik, pasi lidh tre fshatra – Shtojin e Ri, Golemin dhe Grudën – me aksin nacional Shkodër-Koplik, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin për komunitetin e zonës.
Rruga, me një gjatësi prej 2.2 km, ishte lënë në harresë për dekada, duke u kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët, sidomos gjatë stinës së dimrit kur baltat dhe gropat me ujë e bënin thuajse të pakalueshme.
Aktualisht, po përfundon shtrimi me çakull, ndërsa brenda pak ditësh pritet të nisë asfaltimi, duke e kthyer këtë rrugë në një arterie të rëndësishme për zonën.
Ky investim është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të kahershme të komunitetit dhe synon përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e kësaj zone periferike të Shkodrës.